Tuesday, August 11, 2020
Shoot RAW, Think Fine, Research, Design


Injorantët, Klubi Qytetar Shqiptar dhe Syri i Zotit

By Admin , in Publicistikë , at July 15, 2014

Të dashur Injorantë dhe Analfabetë!

Po ju shkruaj me trishtim, t’ju shpjegoj diçka që nuk do shpjegim. Jam i sigurt që dhe shpjegimi im nuk do zërë vend në kokat e trasha të anadollakëve, paragjykuesve, fondamentalistëve e gjithë sojit të atyre që besojnë se e vërteta është veç ajo që besojnë ata. Këto rreshta janë për Injorantët, si të vetmit që me pak durim mund të kuptojnë ato që po them. Injoranca nuk është krim a faj, ndaj edhe zemra e tyre është thjesht e plogësht dhe mendja e mjegullt.

Kam kaq vite që dëgjoj të flitet për logon e Klubit Qytetar; ç’nuk dëgjoj! Artikuj që shkruhen e u thonë njerëzve: Ruhuni nga Klubi Qytetar sepse, ja, logoja e tyre vërteton se janë djajtë e së keqes, përfaqësues dhe pjesë e intrigave shekullore të Masonerisë, Iluminatit, Djallit, a ku di unë.

Gjithnjë kam qenë me parimin “Qentë le të lehin, karvani të shkojë para” dhe nuk kam dashur të kundërshtoj askënd në veprimet apo mendimet e

tij/saj, por tani më ka ardhur në majë të hundës dhe po sqaroj se ç’do të thotë logoja jonë e ç’kuptim kanë elementet e saj.

Si fillim, ju kërkoj falje për zhgënjimin, por asgjë nuk është shpikur nga ne dhe elementet nuk janë marrë nga Masoneria apo Iluminati.

Logoja ka tri elemente të dukshme dhe një të fshehur.

  1. Trekëndëshi barabrinjës. Ka pasur shumë kuptime përgjatë historisë, por në rastin tonë përfaqëson shoqërinë në tërësi. Një trekëndësh barabrinjës ngado ta kthesh është i njëjtë; çdo element i tij është i barabartë me dy të tjerët. Trekëndëshi është i vendosur me majën lart, për të treguar që jetojmë në një shoqëri hierarkike dhe demokratike, ku gjithnjë dikush është në krye, por i mbështetur mbi bazën që është përsosmërisht horizontale dhe përfaqëson barazinë e qytetarëve para ligjit.
  2. Dielli që po lind. Ka qenë gjithnjë simbol i përtëritjes, rilindjes, jetës dhe dijes. Në rastin tonë është përdorur si simbol i dijes dhe një epoke të re që po vjen dalëngadalë për gjithë njerëzimin dhe nga brenda njerëzimit, nga arti, shkenca, filozofia, teknologjia e gjithçka që çon para dijen.
  3. Syri. Është huazuar nga Syri i Zotit në ikonat e krishtera, që kanë një sy në mes të një trekëndëshi rrezatues. Në rastin tonë nuk përfaqëson Zotin, por qytetarin e vëmendshëm dhe vigjilent, gjithnjë i gatshëm të shohë në sy të keqen e kësaj bote e të veprojë. Ai sy pra jam unë, ti, jemi të gjithë ne.
  4. Simboli i fshehur është Feniksi. Nëse do ta ktheni logon mbrapsht do ta shihni. Simbolizon aftësinë e njerëzimit për të rilindur nga hiri i luftrave dhe shkatërrimit. Do të thotë se nëse dikur shoqëria jonë të përmbysej nga dikush apo një ideologji, njerëzimi do të rilindë si Feniksi nga hiri i vet.

Kjo është e gjitha të dashur injorantë! Nuk ka asnjë intrigë ndërkombëtare apo edhe të vockël fare.

Jam i sigurt që dikush do dalë nga shekulli i dymbëdhjetë ku jeton dhe do më thotë se syri i Logos sonë është i ad-Dajjalit (djallit apo Luçiferit), sepse Zoti nuk mund të jetë me një sy, por me dy. Lexoni librin tuaj dhe nuk do gjeni askund që Zoti ka dy, tre apo një sy. Një Zot që do i duheshin sy për të parë do ishte si ne, do mund të verbohej, pra nuk do ishte Zot.